Lajmet e fundit

Mijëra qytetarë janë mbledhur gjatë 15 dhe 16 shtatorit në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tubimet, të cilat fillimisht u zhvilluan në mënyrë të qetë, më vonë u shoqëruan me tensione pranë bazës së EULEX-it dhe objektit të Qeverisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, pas përfundimit të tubimeve në sheshet e kryeqytetit, një pjesë e protestuesve u nisën drejt ish-objektit të EULEX-it dhe më pas drejt bazës së këtij misioni.
Atje, sipas policisë, protestuesit tentuan të depërtojnë përmes rrethojave, ndërsa për disa orë pati tensione dhe hedhje të gjësendeve të forta në drejtim të objektit dhe rrethojave.
Policia bëri të ditur se numri i protestuesve u rrit edhe me ardhjen e qytetarëve nga pjesë të ndryshme të Kosovës. Për shkak të situatës, përkohësisht u ndërpre dhe u ridrejtua qarkullimi në rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë.
Pas protestës pranë EULEX-it, një pjesë e pjesëmarrësve vazhduan drejt qendrës së Prishtinës, duke u vendosur pranë objektit të Qeverisë së Kosovës.
Fillimisht situata pranë Qeverisë ishte e qetë, por më pas, sipas Policisë, pati përpjekje për të kaluar rrethojat dhe kordonin policor, ndërsa në drejtim të objektit u hodhën edhe mjete të forta.
Në njoftimin e saj, Policia tha se brenda turmës kishte edhe persona të maskuar, të cilët hodhën gurë. Sipas policisë, disa protestues reaguan ndaj këtyre personave.
“Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për vet pjesëmarrësit si dhe mbrojtjes së jetës e pronës, sipas detyrës zyrtare në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë”, thuhet në njoftimin e Policisë transmeton Klankosova.tv.
Përballë zhvillimeve, njësitet policore shtuan praninë në terren për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të penguar hyrjen e protestuesve në objektet institucionale.
Si rezultat i veprimeve policore, dy persona janë shoqëruar në polici. Policia njoftoi se prokurori ka vendosur që njërit t’i caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa personi tjetër është liruar dhe ndaj tij procedura do të zhvillohet në gjendje të rregullt.
Për shkak të protestave, policia ndërpreu përkohësisht edhe rrugën Prishtinë–Fushë Kosovë dhe rrugën “Bill Klinton”, ndërsa trafiku u orientua në rrugë alternative.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve që ende ndodhen në tubim të shmangin incidentet dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
“Siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në përfundim të njoftimit.
Protestat pas aktgjykimit në Hagë kanë marrë përmasa në disa pjesë të Kosovës, ndërsa autoritetet policore kanë vazhduar të qëndrojnë në terren për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.