Lajmet e fundit

Shkruan: Albert Prenkaj
Mendoj se është përpjekje për të ruajtur vazhdimësinë kulturore, shpirtërore e materiale të ditëve të para të krishterimit në Dardani, pjesë e pasurisë së përbashkët kulturore të Kosovës.
Flori dhe Lauri janë martirët e parë të krishterimit në Dardaninë antike.
Mendoj se është kjo betejë perpetuale e sacerdotëve dhe e idesë strategjike për ta ruajtur dhe rikthyer materien tek shtrati kulturor: Platforma strategjike euro-atlantike, që konsiderohet si e ardhmja jo vetëm politike dhe e sigurisë, por e kultivimit të sistemit të përbashkët të vlerave me popujt e lirë.
Mendoj se ata që e luftojnë këtë qëllim, nuk kanë informacion, ose duan ta zhbëjnë bazamentin e hershëm shekullor, për t’i lënë hapësirë idesë mohuese të këtij shtrati kulturor dhe të ruajnë monopolin dogmatik, shoqëror dhe politik, derisa planifikojnë që, për qëllime strategjike, Kosovën e, me të, shqiptarët t’i projektojnë si armiq të vlerave perëndimore – mohues të thekur që urrejnë çdo gjë perëndimore.
Kjo është vetëvrasje! Vrasje e tabanit kulturor shqiptar, shmangie nga rrugëtimi euro-atlantik, ikje në errësirën historike të dogmës, e cila po e asfikson, shëmton (po e vret ngadalë) konturën historike nacionale shqiptare.
Kjo është luftë kundër të kaluarës së argumentuar historike dhe së ardhmes shqiptare në Kosovë, por edhe në Maqedoni V., Serbi jugore, Mal të Zi.
Në këtë betejë, Tirana zyrtare, Prishtina zyrtare kanë dështuar (janë joshur) karshi ofertave elektorale në vend dhe në vendet mike, relacionit të sforcuar me publikun, oportunizmit dhe konformizmit ndaj asaj që konsiderohet “vis maior”!
Vis maior do të duhej të ishte ruajtja e qenies, jo në kontekstin e bukës sonë të përditshme, por si qenie kulturore, politike e shoqërore dinjitoze, kuptimplote, partner i respektuar.
Mendoj se në këtë temë ka dështuar Washingtoni zyrtar, Londra, Brukseli, si dhe kancelaritë tjera, të cilat e kanë trajtuar rajonin me shpotitje në këtë temë.
Apo ata kështu e projektojnë të ardhmen e rajonit?
Në anën tjetër, mendoj se qendra të aksit anti-atlantik dhe anti-evropian kanë investuar majmë për ta sakatosur shtratin kulturor shqiptar, që njëherazi shërben për ta zbehur apo degjeneruar imazhin, por edhe fuqinë vepruese politike të Kosovës, e njëherazi atë të vendeve ku jetojnë shqiptarët.
Deri më tani, e kanë bërë punën e tyre me sukses.