Lajmet e fundit

Shkruan: Blerim Shala
Nuk ka pasur që nga përfundimi i luftës në Kosovë (në qershorin e vitit 1999), në këto anë të Evropës një ngjarje më problematike, më tronditëse, më ndjellakeqe, se sa ceremonia e varrimit në Beograd të Gjeneralit serb Ratko Mlladiq, të dënuarit me burg të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, në korrikun e vitit 1995.
Të rikujtojmë sërish: Atëbotë ky krim u cilësua si më i madhi në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore e këndej.
Një ceremoni mortore dëshmoi, në këtë mënyrë, që gjendja në Serbi, në politikën por edhe në shoqërinë serbe, është tani më e keqe se kurrë që nga viti 1999 e këndej, dhe që një çerek shekulli (a më shumë), në këtë historinë e re të Shekullit XXI, është harxhuar kot së koti prej të gjithë aktorëve rajonal dhe ndërkombëtar, sepse nuk është rendi i pajtimit midis shteteve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor.
Nuk ka gjasa për hyrje në një periudhë politike që do të njihte një stabilizim afatgjatë të kësaj pjese të Evropës, e cila ndryshe, me gjashtë shtetet e veta, pretendon të bëhet sa më parë që është e mundur pjesë e Bashkimit Evropian.
Për të ndarë, si u tha shumë herë ditëve të fundit, pas këtij ‘tërmeti politik’ të shkaktuar nga një varrim, me gjithë BE-në ‘vlerat evropiane’. Apo jo.
Natyrisht, një konstatim i këtillë mohues për perspektivën e këtij rajoni për tu bërë Evropë para se të hyjë në Evropë (në Bashkimin Evropian), do të hasë në atë vrullin e fjalëve të mëdha, të cilat kanë gjithnjë e më pak efekt, të instancave më të larta evropiane, se në fund të fundit, do të ndodhë zgjerimi i BE-së me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, para se të ndodhë zgjerimi i telasheve nga Serbia në shtetet e tjera të rajonit, i cili do të mund të merr format më të rrezikshme të mundshme për sigurinë e kësaj pjese qendrore të Gadishullit Ballkanik.
Ashtu siç ka ndodhur edhe disa herë në të kaluarën.
Gjërat pra, nuk kanë ndryshuar vetëm në Serbi për të keq. Ato, njëlloj kanë ndryshuar edhe në BE, tek shtetet më të fuqishme të saj, në SHBA, në Perëndim në përgjithësi.
Zotimi në respektimin e vlerave politike dhe qytetëruese të Evropës dhe Perëndimit, tash e sa kohë ka marrë një tatëpjetë të madhe. Janë shkaqe të ndryshme për një rënie të këtillë, të matshme, të këtyre vlerave politike dhe qytetëruese të Perëndimit. Shumica i kanë ranë në qafë Evropës duke mbërrite këtupari prej të gjitha drejtimeve jashtë saj: Prej matanë Atlantikut, pastaj, prej Ukrainës, Lindjes së Mesme, etj.
BE nuk u tregua e gatshme që të përballet sa dhe si duhet me gjitha këto sprova, duke qenë pak a shumë e vetmuar në ballafaqimin me to.
Edhe nga ky pikë vështrim, BE-ja, në parim e ka pasur më së lehti që të dëshmohet pikërisht duke u marrë në mënyrë krejt tjetër fare me Ballkanin Perëndimor, i cili ri-fitoi atë peshën gjeo-politike (të konstatuar edhe prej vetë nivelit më të lartë të Brukselit), menjëherë pasi nisi agresioni i Rusisë në Ukrainë, në shkurtin e vitit 2022.
Realisht, nuk mund të pretendojë BE-ja të luajë rol të dorës së parë kudo tjetër në Botë, nëse nuk është në gjendje ta rehatojë një herë e mirë oborrin e saj, i cili në një ardhme afatmesme, do të duhej të bëhej pjesë e territorit të saj të plotë, duke e rrumbullakuar kështu tërësinë territoriale evropian dhe identitetin e vet politik dhe qytetërues.
Në këtë kontekst, çfarë pamë të gjithë (jo vetëm këtu, por në gjithë rajonin dhe në Evropë), pak ditë më parë në Beograd, është një tregues sa larg është BE-ja prej sendërtimit të qëllimeve të veta.
Në fakt, e tëra do të duhej të ishte një motivim shtesë për Brukselin që t’i përkushtohet më shumë se kurrë në deceniet e fundit, kësaj pjese të Evropës.
Nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, gjithçka mund të bëhet vonë këndejpari.