Lajmet e fundit

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme qe i zënë me takime me liderët partiakë.
Pasi e përfundoi bisedën me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, rezultati i së cilës s’u tregua, Kurti në Qeveri priti liderin tjetër opozitar.
Ky takim, ku kryetari i Partisë Demokratike Bedri Hamza, kërkoi votë për ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, e u fol edhe për presidentin, u krye pa ujdi.
“Bisedat i kemi përfundu, janë edhe disa ditë kur kemi mundësi me arritë marrëveshje, s’e di a do ndodhë marrëveshja, por përndryshe kjo është kërkesa jonë dhe s’ka të bëjë me nevojën për PDK-në", tha Hamza pas takimit.
Sipas tij, kalimi në plotni i ligjit për Dhomat e Specializuara, është i domosdoshëm.
Ky qëndrim qe i njëjtë edhe para e pas një takimi që deputetët e subjektit të dytë në Kuvend mbajtën gjatë ditës, para se kryetari i tyre të nisej për të folur me Kurtin.
Nga Vetëvendosje, të njëjtit pritën edhe që të thirret mbledhja e Komisionit për Legjislacion, të cilët u ngarkuan për ta trajtuar nismën legjislative për Specialen.
Kërkesa për votë për këto ndryshime, e verdikti i 16 shtatorit, ndërroi rrethanat edhe sipas Lidhjes Demokratike. Për këto zhvillime e për presidentin, qyshdo që vendosë partia, këta kërkojnë të mos shihen si të ndarë brenda subjektit.
“Mos na ndani, se jemi 18. Kemi dallim në një rast, ne bashkohemi në dallimet tona. Ajo ka qenë një episod që ka ndodhë në një rast, sepse çdo tendencë me mbajtë të ndame LDK-në është e paqëndrueshme", tha deputeti i kësaj partie, Lutfi Haziri.
Platforma “Jo në emrin tim”, përmes një aksioni simbolik para Kuvendit, kërkoi nga deputetët shqiptarë, por edhe nga të tjerët, që t’u japin dritë të gjelbër ndryshimeve në ligjin për Specialen.
Ndiqni kronikën e plotë: