Lajmet e fundit

Ka qenë një javë ku lajmet e rënda kanë marrë sërish pjesën më të madhe të vëmendjes.
Mes kronikave të zeza, politikës dhe ngjarjeve që na kanë shqetësuar, pati edhe histori të tjera. Ndoshta më të vogla, por që meritojnë të rikthehen në vëmendje.
Sepse jo çdo gjë që ndodhi në Kosovë ishte kronikë e zezë.
Dikush arriti një sukses, dikush tjetër bëri një gjest që ia vlejti të përmendej, një hap i ri u bë për fëmijët, ndërsa sportistët tanë vendorë na dhanë arsye për të festuar.
Prandaj, para se ta lëmë pas këtë javë, po i kthejmë sytë te disa prej ngjarjeve që sollën pak dritë mes gjithë asaj jave të trishtuar.
Një tjetër lajm i javës erdhi nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Tre kolonelë - Arife Halili, Astrit Haliti dhe Mehmet Lladrovci - u graduan në gradën Gjeneral Brigade.
Pas gradimit, Halili u emërua Drejtore e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes, Haliti Shef i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, ndërsa Lladrovci Komandant i Forcave Tokësore. Në ceremoninë zyrtare, gjeneralët e rinj dhanë betimin para U.D. Presidentes Haxhiu.
Një 30-vjeçare kishte përfunduar në urgjencë pasi kishte gëlltitur aksidentalisht një material stomatologjik rreth 3.1 centimetra të gjatë, i cili kishte përfunduar në kanalet e frymëmarrjes.
Por në këtë ndodhi ka edhe një tjetër detaj që meriton vëmendje.
Pulmologët Besim Morina dhe Flamur Marku erdhën vullnetarisht në QKUK gjatë vikendit dhe, përmes bronkoskopisë, e larguan me sukses trupin e huaj.
Në një javë ku shumë lajme flasin për atë që shkon keq, ky ishte një lajm për njerëzit që ishin aty kur diçka shkoi keq.
Nga 1 shtatori, fëmijët e nivelit parafillor në Prishtinë do të kenë orar më të gjatë mësimi - nga dy në katër orë.
Sipas drejtorit të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ndryshimi synon t'u japë fëmijëve më shumë kohë për mësim, lojë, aktivitete dhe shoqërim.
Por ndryshimi nuk prek vetëm fëmijët.
Sipas drejtorisë, orari më i gjatë pritet t'u japë edhe prindërve më shumë hapësirë për ta menaxhuar punën dhe kujdesin për fëmijët.
Badoci këtë javë nuk ishte vetëm një liqen në hartën e Kosovës.
Në Ditën e Liqeneve, brigjet dhe sipërfaqja e tij u pastruan nga mbeturinat plastike. Në aksion u mblodhën rreth 200 thasë me mbeturina, ndërsa vullnetarëve iu bashkuan edhe peshkatarë, zjarrfikës e pjesëtarë të FSK-së.
Organizatori Luan Hasanaj tha se në liqenin e Badocit kishte hapësira të mbushura me plastikë të cilat kishin mbuluar edhe sipërfaqen e ujit. Ai tha se nga ajo hapësirë janë larguar 200 thasë me mbeturina.
Jo të gjitha historitë që meritojnë të rikthehen janë histori festash.
Disa janë histori që na kujtojnë se ka familje që ende presin përgjigje.
Shtetet e Bashkuara këtë javë përsëritën mbështetjen për hetimin e krimeve të luftës dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre.
“Ambasada e ShBA-së vazhdon të mbështesë përpjekjet për hetimin e krimeve të luftës dhe sjelljen e drejtësisë për familjet e viktimave të luftës. Çdo familje meriton përgjigje për fatin e të dashurve të tyre”, tha Ambasada e ShBA-së në Prishtinë për Klankosova.tv.
Kosova po kthehet me medalje. Dhe jo me një të vetme.
Në ring, Donjeta Sadiku shkroi një tjetër kapitull të suksesit të saj. Boksierja nga Kosova u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit dhe fitoi medaljen e artë.
Pas saj erdhi edhe një tjetër medalje nga një prej emrave tashmë të konsoliduar të sportit vendor.
Laura Fazliu e mbylli garën me medalje të argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Ajo arriti deri në finale, duke siguruar një tjetër podium për Kosovën.
Por medaljet vazhduan të vinin...
Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi siguruan medalje të bronzta, ndërsa Shpati Zekaj iu bashkua listës së medalistëve me një tjetër të bronztë.
Gjashtë medalje në total.
Një e artë.
Një e argjendtë.
Katër të bronzta.
E kjo javë s’kishte si të mbyllej më mirë dhe me më shumë krenari./Klankosova.tv