Lajmet e fundit
“Sefte” në Kosovë ia bëri Prishtina.
E tash në vitin e ri shkollor, mësimi tërëditor filloi së implementuari edhe në Kamenicë.
Në këtë komunë kjo reformë për herë të parë nisi të zbatohet në tri fshatra, te shkolla “Metush Krasniqi” në Roganë, “Abdullah Krashnica” në Koretin si dhe “Skëndërbeu” në Hogosht.
Nga Drejtoria e Arsimit thanë se si model e analizuan atë të kryeqytetit, veçse potencuan se strategjia e tyre, megjithatë dallon.
Ndërkohë, edhe nga institucioni arsimor “Metush Krasniqi” potencuan që e nisën mbarë.
Nxënësit, që të mërkurën e patën ditën e dytë të shkollës, thanë që iniciativa është e qëlluar ani se e konsiderojnë pak të vonuar.
Mirë u prit edhe nga prindërit që deklaruan se deri tash janë detyruar të gjejnë lloj –lloj alternativa për kujdes ndaj fëmijëve pas mësimit.
Nga kjo komunë thanë se ky është veç fillimi, pasi në të ardhmen planifikojnë që mësimin gjithëditor ta shtrijnë edhe në shkollat e qytetit.