Lajmet e fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës, gjatë ditës së sotme njoftoi se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 personave të akuzuar për krime lufte ndaj familjes Jashari në vitin 1998.
Flamur Kabashi nga IKD, tha se aktakuza e përbërë nga 155 faqe, përmban informacione të rëndësishme për këtë sulm.
Në “Edicionin Special”, Kabashi tha se aktakuza përmban edhe prova të shumta për viktimat, por janë edhe skicat të cilat, sipas tij, flasin për planin dhe mënyrën se si është bërë organizimi i sulmit në lagjen Jasharaj.
“Disa prej rrethanave më interesante në aktakuzë është se numri i viktimave është i lartë. Duhet pasur parasysh se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë dhe i ka të listuara viktimat civile, për këtë arsye edhe personat bijnë në veprën penale të ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, sepse popullsia civile, sipas traktateve ndërkombëtare, është e mbrojtur nga sulmet të cilat ndodhin në kohë lufte”, deklaroi Kabashi.
Ai shtoi se në aktakuzë përmendet se sulmi ka qenë i përgatitur nga janari i vitit 1998, dhe në një vilë kanë bërë planin për realizimin e sulmit në lagjen Jasharaj.
“Karakteristike është edhe mosha e viktimave. Po ashtu, se janë përdorur artileri të rëndë. Gjithashtu, se sulmi ka qenë i papritur. Këtij sulmi i janë ballafaquar vetëm një grup i ngushtë i pjesëtarëve të UÇK-së në atë kohë, sipas aktakuzës”, u shpreh Flamur Kabashi nga IKD.