Lajmet e fundit

Festivali më i madh i vjeljes së rrushit në Kosovë, Hardh Fest është hapur sot dhe do të zgjasë deri të dielën, më 6 shtator, në Rahovec.
Programi artistik i natës së parë nis me Mjeshtrin e Madh Vendim Kapaj dhe ISO Polifoninë, ndërsa në skenë do të ngjitet edhe grupi legjendar Modern Talking me Thomas Anders & Band, të cilët performojnë për herë të parë në Kosovë. Nata do të plotësohet me Vedat Ademin dhe DJ 029.
Nesër, në skenën e Hardh Fest do të performojnë Naser Berisha, Tuna, Era Istrefi dhe DJ Maarvel. Të dielën, më 6 shtator, festivali mbyllet me Endri & Stefi Priftin, Anxhela Peristerin, Xhensila Myrtezajn dhe DJ Enndzin.
Me moton “Për kokërr t’qefit”, gjatë tri ditëve, vizitorët do të mund të marrin pjesë edhe në “Hardh Tour“, turin e udhëhequr nëpër vreshta dhe në trashëgiminë kulturore të Rahovecit, i cili zhvillohet të shtunën dhe të dielën nga ora 17:00. Programi përfshin edhe garat „Hardh Sprint“ dhe „Hardh Eks“, aktivitetet për fëmijë „Hardh Kids“, si dhe „Hardh Expo“.
Nikoqir i këtij edicioni është futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova, i lindur në Krushë të Madhe, ndërsa Ambasador Nderi i Hardh Fest është Antonio Pomillo, kryetar i Komunës së Vaccarizzo Albanese (Vakarici), fshat arbëresh në Kalabri./KlanKosova.tv.