Lajmet e fundit

Festivali i Kulturës dhe Verës “Festari 2026” nis sonte edicionin e tij të 25-të, me një hapje solemne që do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi” në Suharekë.
Me moton “25 vite traditë, 25 vite kulturë, 25 vite verë”, Festari shënon një çerek shekulli të një ngjarjeje që ndër vite ka bashkuar kulturën, traditën, artin, muzikën dhe gastronominë.
Ky festival është shndërruar në një nga ngjarjet e rëndësishme kulturore të Suharekës, duke sjellë në vëmendje edhe traditën e vreshtarisë dhe verës, si një prej identiteteve më të njohura të kësaj ane. Nga vreshtat te muzika, nga arti te gastronomia, çdo edicion i “Festari”-t ka sjellë për publikun përvoja dhe kujtime të veçanta, duke ruajtur traditën dhe njëkohësisht duke krijuar hapësirë për të renë.
Edicioni jubilar i 25-të vjen kësaj here si një festë e historisë së festivalit, por edhe si një hap drejt së ardhmes, duke vazhduar misionin e tij për promovimin e kulturës dhe trashëgimisë lokale. Festari 2026 do të zgjasë deri më 19 shtator 2026, duke e kthyer Suharekën për disa ditë në një pikëtakim të kulturës, artit, traditës dhe verës./Klankosova.tv
