Lajmet e fundit

Me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, 2016–2026, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të jetë nikoqire e ngjarjes së veçantë shkencore, kulturore dhe dokumentare, kushtuar figurës së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës.
Në kuadër të këtij aktiviteti, më 5 shtator, nga ora 14:00, do të promovohet libri me autorë Prof. Dr. Skender Asani dhe Dr. Albert Ramaj, një botim që sjell për publikun një korpus të rëndësishëm dokumentesh historike, fotografish, letrash dhe artikujsh të botuar në periodikët katolikë “Katoličke Misije” dhe “Blagovest”.
Po ashtu, gjatë aktivitetit do të hapet edhe një ekspozitë dokumentare, e cila përbëhet nga 30 panele, në të cilat prezantohen dokumente, fotografi, faksimile dhe materiale të ndryshme historike. Përmes materialeve autentike, ekspozita ndjek rrugëtimin e Gonxhe Bojaxhiut nga Shkupi, duke sjellë në vëmendje etapat e jetës dhe misionit të saj, deri në shndërrimin e saj në një nga figurat më të njohura dhe më të dashura humanitare në botë./Klankosova.tv