Mallrat më atraktive për kontrabandë janë ato të akcizës. Ndërkaq, kontrabandistët e kanë më lehtë të kontrabandojnë naftën, alkoolin dhe duhanin. Rruga më e mirë për të sjellë në Kosovë produkte që u shmangen taksave mbetet kufiri me Serbinë. Por, dukuri të tilla ndodhin edhe në kufijtë me shtetet e tjera.
Dogana e Kosovës vetëm gjatë tre muajve të këtij viti për raste të kontrabandës ka iniciuar 113 lëndë në gjykata. Vlera e mallrave të konfiskuara gjatë kësaj periudhe është rreth 50 mijë euro, derisa janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 353 mijë eurosh.
Gjithashtu, edhe “task force” e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me doganat, Ministrinë e Tregtisë dhe Administratën Tatimore nga tetori i vitit të kaluar e deri më tani ka evidentuar 139 raste të kontrabandës.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se kontrabanda ka pësuar rënie të theksuar.
“Zvogëlimi i kontrabandës më së miri vërehet përmes arkëtimit të taksave në degën doganore në Mitrovicës. Në tremujorin e parë të vitit të kaluar ajo kishte mbledhur 5.2 milionë euro, kurse gjatë këtij vitit kjo shifër është afër 9 milionë euro”, pohon Stavileci.
Rritja e të hyrave, sipas tij, dëshmon se kontrabandistëve po u zvogëlohet rrethi, sidomos pas vendosjes së doganierëve ndërkombëtarë në Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ai thotë se tentimi për futjen e mallrave pa taksa në Kosovë nuk është i koncentruar vetëm në kufirin me Serbinë, mirëpo kjo ka qenë zona më problematike, e cila ngadalë po vihet në kontroll.
Stavileci thekson se nga janari deri në fund të marsit doganat buxhetit të Kosovës i kanë siguruar 122.3 milionë euro ose 4,6 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Megjithatë, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, nuk pajtohet se kontrabanda është zvogëluar në masën prej 80 për qind, siç ka pohuar ditë më parë, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Sipas tij, është vështirë të matet përqindja e saktë e zvogëlimit të kontrabandës kur nuk dihet se sa është shkalla e kontrabandimit të mallrave.
Vendi i kontrabandës, ai thotë se ende mbetet veriu i Kosovës, ku dhe mund të gjinden produkte më të lira 40 për qind, sidomos ato me akcizë.
“Kjo të lenë të kuptosh se mallrat me akcizë ende janë duke u kontrabanduar”, thekson Shahini.
Ai thotë se biznesi legal po dëmtohet rëndë nga mallrat që futen në Kosovë pa iu nënshtruar taksave, pasi që nuk mund të jenë konkurrent me ta në treg.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar, të hënën, nga udhëheqësit e policisë dhe të doganave që të angazhohen më tepër për luftimin e kontrabandës, krimit të organizuar dhe korrupsionit në këtë pjesë të Kosovës. Ai ka thënë se po bëjnë plane për masa të shtuara për luftimin e këtyre dukurive në pikat kufitare në veri të Kosovës. Shkrimin mund ta lexoni të plot në Express.
| < Paraprake | Pasuese > |
|---|
- 19/11/2009 13:45 - KE: Reformat pastaj liberalizimi i vizave për Kosovën
- 19/11/2009 13:42 - Irlanda largon trupat nga Kosova
- 19/11/2009 13:39 - Turqia dhuron 5000 vaksina
- 19/11/2009 13:37 - UNDP: Qytetarët të pakënaqur me EULEX-in
- 19/11/2009 13:34 - Kuvendi i Kosovës: Polemikë për zgjedhje

